Altin Dumani shuan dyshimet: Ervis Martinaj është gjallë!
Kryeprokurori i SPAK Altin Dumani ka shprehur qartë këtë të enjte qëndrimin e institucionit që drejton, në lidhje me fatin e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj. Ky i fundit rezulton i zhdukur pa gjurmë prej datës 9 Gusht të vitit 2022, ndërsa aludimet për fatin e tij janë të shumta.
Në një takim me gazetarët në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Dumani është pyetur dhe për Martinaj.
Përgjigja e tij ka qenë e qartë dhe e prerë, për SPAK biznesmeni i basteve është gjallë dhe i tillë do të konsiderohet deri në momentin që do të ketë prova që të provojnë të kundërtën. E përderisa provat që ai ka vdekur mungojnë, Ervis Martinaj po hetohet si çdo shtetas tjetër.
“Nuk kemi prova se ai ka vdekur. Për aq kohë sa e konsiderojmë të gjallë, po hetohet”, është shprehur Altin Dumani, kryeprokuror i SPAK.
Altin Dumani ka folur sot për një sërë çështjesh me interes që janë pjesë e punës së këtij institucioni, nisur nga fondet e IPARD, dosja e sterilizimit me kërkesën për ndjekje penale ndaj dy ish-ministrave Shkëlqim Cani dhe Ilir Beqaj, Gërdeci, çështja McGonigal dhe Beleri.
Comments
Post a Comment