Ish-deputeti kundër nderimit të Fatos Nanos: Ka drejtuar administratën më të korruptuar të Europës
Ish-deputeti i PD, Erion Piciri është kundër vendimit të kryeministrit Edi Rama, i cili nderoi sot me Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike, ish kryeministrin Fatos Nano, i cili ndodhet prej disa ditësh i shtruar në spital.
Piciri i bashkohet lutjes për shërim të shpejtë të ish-kryeministrit, por nuk është dakord me nderimin e bërë për Nanon.
Ai madje shkruan me ironi se Nanos duke t’i ishte dhënë medalja e korrupsionit, duke thënë se kur ka qenë në pushtet ka pasur administratën më të korruptuar të Europës.
Postimi i plotë i Picirit:
MEDALJA E KORRUPSIONIT E KLASIT TË I-rë
- Nanos dhe çdo njeriu që kalon probleme shëndetësore i duhet uruar shërim i shpejtë. Lutjes kryeministrore i bashkohemi të gjithë. Në lidhjen me Mirënjohjen Publike akorduar nga qeveria shqiptare ish-kryeministrit Nano duhen thënë disa fjalë.
Si kryetar qeverie dhe lider partie në pushtet, F. Nano ka drejtuar administratën më të korruptuar të Europës dhe nga më të korruptuarat e planetit. Të dhënat e Transparency International i japin Shqipërisë për atë periudhë një mesatare prej 2.44 pikësh nga 10 të mundshmet, vendi 117, në 25% e fundit të botës për integritetin e qeverisjes. Me këto të dhëna mund t’i jepej të lartpermendurit Medalia e Korrupsionit e Klasit të I-rë, duke hapur rrugën për laureatë të tjerë me arritje të spikatura në këtë drejtim.
Korrupsioni në qeveritë Nano-PS (1999-2005)
Burimi: Transparency International
2005, vendi 126 nga 158, 2,4 pikë nga 10
2004, vendi 108 nga 145, 2.5 pike nga 10
2003, vendi 92 nga 133, 2.5 pikë nga 10
2002, vendi 81 nga 102, 2,5 pikë nga 10
1999, vendi 84 nga 99, 2,3 pikë nga 10
———
Liderat mund të bëjnë çfarë të duan me qeverisjen, mund të mos ndëshkohen nga drejtësia apo vota, por nuk duhet të fitojnë vende të pamerituara në historinë kombëtare. Ne nuk mund të jemi mirënjohës si shoqëri, administrave më të korruptuara të historisë tonë. Autokracia, korrupsioni, klanizmi kanë shkatërruar shpirtin kombëtar, karrierat e qytetarëve tanë duke e varfuar Shqipërinë nga burimet njerëzore, kapitali intelektual dhe mirëqënia individuale dhe kolektive.
P.S. Me këtë postim meritoj të mos dal në media edhe për 3 vite të tjera. Amin!
Comments
Post a Comment