I hodhi granatën dhe e plagosi me armë zjarri pasi nuk pranonte ndarjen, gjykata dënon me 10 vjet burg autorin
Gjykata ka dënuar me 10 vjet burg të riun nga Shkodra, Fadil Likaj, i cili 25 shtator 2021 tentoi të vrasë në Vlorë, studenten K. Z., me të cilën kishte rënë në dashuri. Treshja e gjyqtarëve kanë vendosur të pranojnë kërkesën e Prokurorisë, duke deklaruar fajtor dhe dënuar fillimisht me 17 vjet heqje lirie të riun nga Shkodra.
Ky dënim është dhënë për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje të armëve” e municioneve dhe “Përndjekjes”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit është reduktuar në 10 vjet heqje lirie. Por Fadil Likaj po bën orvatje për tu liruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, duke synuar të shmangë akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë.
Fadil Likaj i kishte kërkuar takim vajzës në një lokal në lagjen "28 Nëntori" në Vlorë, pasi nuk pranonte të ndahej dhe donte që të sqaroheshin. Për sqarimin i riu kishte marrë me vete edhe një pistoletë dhe dy granata dore. Pas një sherri me të renë, ai ka hedhur granatën tek këmbët e tij dhe të vajzës. Kur granata nuk ka plasur, ai e ka qëlluar me pistoletë. Djali është larguar fillimisht me vrap dhe më pas është neutralizuar ndërsa granata e dytë iu gjet nga policia në çantën që mbante me vete. Në dëshminë e tij 30-vjeçari tha se kishte qëllim vetëm ta trembte dhe jo ta lëndonte të renë.
Comments
Post a Comment