Lulzim Basha nuk pyet për Këshillin: Të shtunën demokratët do votojnë për kryetarin e ri!
Politikani dhe deputeti demokrat Lulzim Basha, ka reaguar vetëm pak momente më parë për zhvillimet në Partinë Demokratike. Ai nuk ka përfillur vendimet e Këshillit Kombëtar dhe në takimin e fundit të fushatës në Tiranë, ka thënë se më 29 korrik demokratët do votojnë.
“Të shtunën me 29 korrik demokratët do të shprehin vullnetin e tyre në një nga momentet më të rëndësishme për Partinë Demokratike. Ata do të votojnë jo vetëm për kryetarin, por për të nisur një rrugëtim të ri, të organizimit, ringritjes dhe shndërrimit të PD në alternativën që duan dhe presin shqiptarët”, shkruan Basha.
Ndërkohë, Këshilli Kombëtar nën drejtimin e Gazment Bardhit dhe me pjesëmarrjen online të 245 anëtarëve, ka vendosur që zgjedhjet e 29 korrikut të anulohen. Sipas anëtarëve, vendimi i Kryesisë për shpalljen e zgjedhjeve në PD ka qenë i parregullt.
“Partia Demokratike nuk është pronë e asnjë individi, por investim i përbashkët i demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira dhe pas çdo sfide i’a kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë. Jam i bindur se kështu do të ndodhë sërish, sepse këtë presin prej nesh shumica e shqiptarëve”, vijon Lulzim Basha.
Comments
Post a Comment