Gjykata e Posaçme lë në burg të arrestuarit e Shkodrës, avokati Ylli Manjani: SPAK u tregua i papjekur, nuk ka asnjë provë!
Gjashtë të arrestuarit e operacionit të SPAK në Shkodër, janë lënë në burg nga Gjykata e Posaçme. Ata janë persona nën hetim, pasi autoritetet në Francë kanë sjell indicje se gjashtë të arrestuarit si pjesë e një grupi kriminal kanë marrë pjesë në disa ngjarje kriminale.
- Xhevahir Lita, prokuror i Shkodrës – Arrest në burg
- Asmer Bilali – Arrest në burg
- Pëllumb Gjoka – Arrest në burg
- Edmond Preka, ish-polic – Arrest në burg
- Ardit Hasanbega, ish-shef Krimesh – Arrest në burg
- Oltion Bistri, ish-shef i Operacionales – Arrest në burg
Këta shtetas janë pjesë e një grupi prej 15 personash për të cilët Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arreste, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, në bashkëpunim me zyrtarë të shtetit shqiptarë.
Në burg janë lënë dhe dy shtetas që u arrestuan pa lidhje me operacionin. Për ta nuk kishte ndonjë urdhër ndalimi, por gjatë kontrolleve atyre u janë gjetur armë zjarri, të cilat i posedonin pa leje.
- Sabjan Troshani – Arrest në burg
- Nehat Fojleta – Arrest në burg
Ndërkohë, avokati Ylli Manjani ka thënë se asnjë prej personave të akuzuar nga SPAK nuk është i pandehur dhe për asnjë prej tyre nuk ka prova. Në cilësinë e avokatit mbrojtës të biznesmenit Pëllumb Gjoka, Manjani tha se ata hetimi ka nisur pas indicjeve nga Franca.
“Statusi legal dhe procedurial i zotit Gjoka dhe të gjithëve aty, asnjëri prej tyre nuk është i pandehur. Duke mos qenë të pandehur, nuk ka as akuza. Sipas ligjit shqiptar, personi lejohet të arrestohet edhe nëse nuk është nën hetim.
E gjithë kjo ka filluar mbi bazën e indicjeve policore. Nuk ka asnjë provë, që klienti im të jetë i implikuar. Të gjitha janë spekulime, Prokuroria ishte shumë e qartë. Flitet për persona nën hetim dhe indicje. Ka ardhur një letërporosi nga Franca. Nuk ka aparate (celularë) të kapura”, u shpreh Manjani.
Më tej, avokati mbrojtës tha se klienti i tij mohon të ketë përdorur aparatet celulare dhe të ketë bërë biseda për të eleminuar persona të caktuar, ashtu siç thuhet në raportet e fragmentarizuara që kanë dalë nga dosja e Prokurorisë së Posaçme.
“Do ju lutesha shumë të mos merren njerëz në qafë. Të gjitha janë spekulime. Prokuroria në pikëpamjen time, është treguar e papjekur me masë. Në vend që t’i linte, të kërkonte prova shtesë, por ky nxitim nuk i shërben Prokurorisë. U shërben futjes në sherr të njerëzve. Pëllumb Gjoka ka mohuar të jetë përdorues i këtyre aparateve dhe proanri i atyre fjalëve që thuhet se janë në atë komunikim”, përmbylli Ylli Manjani.
Comments
Post a Comment