Gara për kreun e PD, Basha: Do bëjmë ndarjen përfundimtare të PD nga e shkuara! Të vonuar për rinovimin e partisë
Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon me fushatën për postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë foto nga një takim i zhvilluar me demokratët, Basha shkruan se qëllimi tij është ndarja “përfundimtare” e së ardhmes nga e shkuara, teksa thekson se PD është e vonuar në procesin e rinovimit.
“Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare dhe pa asnjë diskutim i takon të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia dhe shqiptarët, sigurisht në një aleancë të fortë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE. Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës! Jemi shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë. E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj. Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për t’i ikur përgjegjësisë. Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund politikës së përbaltjes”, shkruan Basha.
Ai premton se do të punojë për një PD moderne që refkelton me kohën, ndërsa shton se problemet e tij personale të pushtetit, nuk do t’i kthejë në problemin e partisë.
“Kjo përballje nuk është aspak e lehtë. Ata kanë kaluar 32 vjet me pushtet dhe janë bashkë për të ruajtuar status quo-në. Por, siç e dëshmon historia, atëherë kur duken më të fortë, perandoria e tyre shembet më shpejt. Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfluktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë. Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, teksa shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë. Ky është misioni i ri i Partisë tonë. Një parti moderne, që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t'u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë”, thotë Basha.
Comments
Post a Comment