Arrestohet ne Muriqan 38 vjeçari i denuar per vepren: “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”
Departamenti i Policisë Kufitare
Intensifikohen kontrollet nga shërbimet e Policisë, në Pikat e Kalimit Kufitar, për kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë.
– Kapen në Rinas, Muriqan dhe Morinë, 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Njëri prej tyre i dënuar me 7 vjet burgim, për organizim të emigracionit të paligjshëm.
– Goditet 1 rast i mosdeklarimit të të hollave në PKK Grabom, sekuestrohen 19 900 dollarë.
– Goditet dhe një rast i kontrabandës së mallrave në PKK Rinas, sekuestrohen 30 steka me cigare, pa pullë fiskale.
Shërbimet e Policisë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, në kuadër të bashkëpunimit me Interpol Tirana, për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar, që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, për t’iu shmangur drejtësisë, kanë kapur 3 shtetas, konkretisht:
– Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në dalje të RSH-së, kanë kapur shtetasin Rexhep Rapi (Arapi), 60 vjeç, banues në Durrës, i cili pas verifikimit nga Interpol Tirana ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Genova, Itali, e ka dënuar 7 vjet burgim, për veprën penale “Organizimi i emigracionit të paligjshëm”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur dhe 4 vjet. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë.
– Shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, në hyrje të RSh-së, kanë ndaluar shtetasin Flamur Shala, 38 vjeç, banues në Zvicër, i cili pas verifikimit ka rezultuar person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
– Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në hyrje të RSH-së, kanë ndaluar shtetasin kosovar B. G., 39 vjeç, banues në Kosovë, i cili pas verifikimit nga Interpol Tirana ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol NCB Brussels, për veprën penale “Tentativë për posedim blerje ose transport të kokainës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar Kodi Penal i Belgjikës. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Belgjikës.
Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve është goditur një rast i modeklarimit të të hollave dhe një rast i kontrabandës së mallrave.
-Shërbimet e Policisë Kufitare në PPK Grabom, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin me drejtues shtetasin A. T., nga Plava, Mali Zi. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 19 900 dollarë amerikanë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore.
Rast i tentativës për të kontrabanduar mallra është goditur nga shërbimet e PKK Rinas. Për këtë rast janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasen V. C., 47 vjeçe, banuese në Angli (me shtetësi angleze), pasi gjatë kontrollit në valixhen e saj janë gjetur 30 steka me cigare, pa pullë fiskale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Comments
Post a Comment