Përplasja me Mehmet Shehun në '51, si nisi goditja ndaj Tuk Jakovës
Zbulohen fakte të panjohura për tragjedinë e Tuk Jakovës, ish-zyrtar i lartë i Partisë Komuniste, që u godit në mesin e viteve ’50. Monografia “Tuk Jakova – Jeta dhe vepra” e studiuesit të njohur Nikollë Loka, që u botua këto ditë, hedh dritë në shumë nga misteret që kanë shoqëruar historinë e partiakut të lartë, viktimë e luftës për pushtet. Është një botim serioz që paraqet veprimtarinë tërësore të Tuk Jakovës si antifashist, komunist, drejtues i rëndësishëm i Luftës Nacionalçlirimtare dhe shtetit të ri shqiptar.Ai ka qenë njëri ndër pionierët e lëvizjes sindikaliste dhe komuniste në Shqipëri, anëtar i celulës së parë komuniste në Shkodër (1934), anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës (1937), i burgosur politik (janar-prill 1939), kryetar i Komitetit Qarkor të Shkodrës, ilegal dhe i dënuar dy herë me vdekje në mungesë nga fashistët. Në nëntor të vitit 1941, Tuk Jakova mori pjesë në themelimin e Partisë Komuniste dhe u zgjodh anëtar i KQ. Në prill 1942, organizoi lëvizjen antifashiste në qarkun e Shkodrës dhe krijimin e çetave partizane në qark.
Në shtator 1942, mori pjesë në Konferencën e Pezës dhe në mars 1943, në Konferencën I të Vendit të PKSH-së, pas së cilës u dërgua në Mokër për organizimin e lëvizjes Nacionalçlirimtare. Prej aty u emërua Komisar Politik i Brigadës I Sulmuese. Në Kongresin e Përmetit u zgjodh anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe komisar i Divizionit të Parë Sulmues dhe në mes të nëntorit të vitit 1944, komisar i Korparmatës së Tretë.
Në Plenumin e Dytë të Beratit, Tuk Jakova u zgjodh anëtar i Byrosë Politike, ndërsa në Kongresin I të Sindikatës u zgjodh president i Bashkimeve Profesionale, deri në shkurt të vitit 1947. Për disa muaj në vijim kreu detyrën e ministrit Fuqiplotë në Beograd, pastaj, në shkurt 1948, u emërua ministër i Industrisë e në vazhdim sekretar i KQ për Kuadrot dhe Organizimin dhe njëherazi zëvendëskryeministër deri në vitin 1951, funksion të cilin e mbajti deri në qershor 1955, kur u shkarkua nga të gjitha funksionet dhe u përjashtua nga Partia. Deri në momentet e goditjes, mbante gradën gjeneralkolonel dhe titullin “Hero i Popullit”.
Përtej biografisë personale që përshkruhet me saktësi, në librin e studiuesit Loka shtjellohen një mori të dhënash dhe aspekte të panjohura të veprimtarisë së Jakovës, të cilat ose nuk janë cekur fare, ose janë trajtuar cektas nga historiografia e kohës, ku mund të veçohet veprimtaria e tij brenda grupit komunist të Shkodrës; puna për riorganizimin e Partisë në Qarkorët e Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit, kontributi si drejtues partiak dhe shtetëror, dhe veçmas roli i tij si përfaqësues i Shqipërisë në OKB etj.
Pikërisht në kulmin e shkëlqimit të tij, dokumentohet në monografi, Tuk Jakova u godit me motivin e paarsyeshëm për oportunizëm, një akuzë e paqartë, e papërcaktuar, përmes së cilës mund të goditej kushdo në atë periudhë. Ishte koha kur, pas eliminimit të Koçi Xoxes, vija politike u orientua në luftë kundër praktikave sektare që kishte zbatuar ai në trajtimin e kuadrove dhe gjykimin e njerëzve. Siç rezulton nga dokumentet e publikuara në libër, Tuk Jakova u dënua për veprimtari oportuniste nga dy bashkëpunëtorë të afërt, Mehmet Shehu, bashkëluftëtari i tij në Brigadën I dhe Divizionin I Sulmues, dhe Liri Belishova, që drejtonte Drejtorinë e Organizimit në KQ dhe ishte vartëse e Tuk Jakovës.Monografia “Tuk Jakova – Jeta dhe vepra” për herë të parë bën publike motivet e vërteta që i shtynë Mehmet Shehun e Liri Belishovën për të eliminuar Jakovën, njërin ndër liderët më të besueshëm të Hoxhës deri në atë periudhë. Mehmet Shehu, në shërbim të ambicieve të tij për t’u bërë zyrtarisht numri dy i Partisë dhe i shtetit, e përdori detyrën si ministër i Punëve të Brendshme për të siguruar prova të manipuluara për të mënjanuar Jakovën. Ai kishte pasur mosmarrëveshje me të që në periudhën e luftës, kur e kishte komisar në Brigadën I dhe Divizionin I që komandonte.
Tuku ishte i vetmi lider, përveç Enver Hoxhës, që mund të përballej me Mehmetin dhe ta frenonte në veprimet e tij. Shehu dhe Belishova e shihnin Tukun si pengesë në realizimin e synimeve të tyre politike. Mehmeti për t’u bërë edhe sekretar i Komitetit Qendror për Kuadrin, ose të paktën që në atë funksion të vinte një mbështetës i tij, ndërsa Liria, që ishte anëtare e Byrosë Politike, kërkonte të paktën të bëhej sekretare e KQ dhe, ndoshta, me mbështetjen e Mehmetit, sekretare e Komitetit Qendror për Organizimin dhe Kuadrin.
Edhe pas kritikave të para në Byronë Politike nga ana e Mehmetit dhe Lirisë, Enver Hoxha kishte mendimin se Tuk Jakova ishte njeriu më i përshtatshëm për funksionin që kishte, për shkak të një kompleksi faktorësh. Të njohur me këtë fakt, Mehmeti dhe Liria iu drejtuan ambasadorit sovjetik dhe formuluan dy akuza: Antisovjetizmin e Tuk Jakovës dhe mbështetjen që gëzonte ai nga ana e Enver Hoxhës. Në atë lojë politike, në vitin 1951, Enver Hoxha e sakrifikoi Tuk Jakovën, pasi e pati mbrojtur aq sa mundi.Nga ana tjetër, Mehmeti dhe Liria nuk i realizuan plotësisht ambiciet e veta. Mehmeti mbeti aty ku ishte në Sekretariat, ndërsa Liria arriti të bëhej sekretare e KQ, por jo për Organizimin dhe Kuadrin. Ndërkohë u shtuan dy sekretarë të tjerë dhe me një numër të tillë të madh sekretarësh, pesha e secilit prej tyre në Parti u bë më e vogël. Për më tepër, pas Tuk Jakovës nuk kishte sekretar kuadri dhe me problemet e kuadrit merreshin të gjithë sekretarët sipas sektorëve që mbulonin.Pas goditjes së parë ndaj Tuk Jakovës, ku u mbrojt nga Hoxha, Jakova nuk mund t’i shpëtonte goditjes së dytë, ku ai në emër të shkrimit të së vërtetës historike për historinë e Lëvizjes Komuniste Shqiptare vuri në dyshim pikëpamjen e deriatëhershme për rolin e madh të Enver Hoxhës në themelimin e Partisë. Me angazhimin e plotë të Enver Hoxhës kundër tij, Tuk Jakova shkarkohet nga të gjitha funksionet, përjashtohet nga Partia dhe futet në burg, ku vdiq në rrethana të dyshimta, duke lënë prapa një sërë dilemash, ndër të cilat dy janë më kryesoret: E vranë me veprim apo me mosveprim; e lanë të vdiste apo e eliminuan.
MEHMET SHEHU DHE LIRI BELISHOVA – GODITJA E PARË NDAJ TUK JAKOVËS
Më 29-31 janar 1951 u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike të KQ PPSH, të cilën e drejtoi Enver Hoxha. Edhe pse objekt i saj ishin problemet ekonomike, me fokus mosrealizimin e planit dyvjeçar, ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, dhe drejtoresha e Drejtorisë së Organizimit në KQ, Liri Belishova, u morën me kritikën e gabimeve të Tuk Jakovës. Më 30 janar 1951, i dërguari i Bashkimit Sovjetik në Tiranë, Dimitri Çuvahin, raporton që “pasi mora vesh se dje, më 29 janar, në Byronë Politike u bënë diskutime për punën e anëtarëve të veçantë të saj, ftova në mision Liri Belishovën dhe i kërkova të jepte përshtypjet e veta për këtë problem.
Belishova ngarkon me përgjegjësi për të metat vetëm Tuk Jakovën. Sikur Tuk Jakova t’i kishte kryer detyrat e veta siç duhet, rezultatet do të kishin qenë më të mira. Dhe megjithëse Tuku që i drejtonte nuk kishte punuar sa duhet, “shokët (anëtarët e KQ dhe të Byrosë Politike që punojnë në aparatin e KQ) nuk kanë ndenjur duarkryq, ata kanë punuar dhe kanë punuar shumë. Por a u kritikua Tuk Jakova për dobësi në jetën e Partisë? Liri Belishova i tregon Çuvahinit për kritikën e Mehmet Shehut ndaj Tuk Jakovës. Për çudi, kritikat nuk lidhen me organizimin e Partisë, as me rolin e Partisë në ekonomi, por me qëndrimin politik të Tuk Jakovës, me “oportunizmin e tij”.
Belishova sjell një sërë rastesh të personave me funksione publike, të cilët sipas saj dhe Mehmet Shehut, nuk e meritonin funksionin që u ishte dhënë, por ata mbroheshin nga Tuk Jakova. Koleksionimi i rasteve të qëndrimeve liberale të Tuk Jakovës nga ana e Mehmet Shehut, tregon se ai po përdorte funksionin e tij për të mbledhur informata rreth Sekretarit të Dytë të KQ.MBLEDHJA E BYROSË POLITIKE E DATËS 29 JANAR 1951
Tuk Jakova: Analiza e punës së Byrosë Politike ka rëndë- si të madhe dhe këtë duhej ta kishim bërë më herët. Sipas tij, plani i ekonomisë për 1950 nuk është realizuar, jo për arsye objektive. Arsyeja e mosrealizimit, sipas fjalëve të tij, qëndron në faktin se “ne nuk kemi punuar mirë”, se “anëtarët e Byrosë Politike nuk i kanë kryer funksionet e tyre”. Ai e vuri theksin në fillim se nuk po rritet niveli i jetesës së popullsisë, se çmimet nuk janë stabilizuar, se “ne e kemi furnizuar keq popullin”, se eksporti është organizuar keq, se “ne mbajmë një përgjegjësi të tillë edhe para Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të demokracisë popullore”.
Duke u ndalur në të metat personale, Tuk Jakova tha se ai: Nuk ka qenë në gjendje t’i kuptonte disa probleme dhe ta drejtonte punën. Nuk ka qenë kërkues, për të parë se si e kryejnë punën e tyre disa sektorë të veçantë. Si udhëheqës, nuk e ka organizuar punën e vet personale. Nuk ka pasur lidhje të ngushta me Liri Belishovën dhe Bedri Spahiun. Nuk i ka ndihmuar sekretarët e parë të komiteteve të rretheve, punën e tyre e ka drejtuar në një mënyrë burokratike.
Ai propozoi që deri më 5 shkurt, Tuk Jakova, Bedri Spahiu dhe Liri Belishova të hartojnë disa rregulla për rolin e Byrosë Politike. Tuk Jakova tha se Sekretariati i KQ ka në përbërjen e vet shokë nga më të mirët dhe se sekretari i Përgjithshëm duhet të bashkërendojë punën e Këshillit të Ministrave dhe të shtrojë para KQ çështjet përkatëse. Ai vuri në dukje se Byroja Politike duhet të përcaktojë se me çfarë çështjesh duhet të merren sekretarët e KQ, se “pas Kongresit I të Partisë qarkullon një mendim se Sekretariati qëndroka gjoja mbi Byronë Politike dhe Plenumin e KQ”.duhet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Për listën e gjyqtarëve popullorë. Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu diskutuan problemin e kandidaturave, ata e hartuan një listë të tillë, por kur këtë listë filluan ta diskutonin në KQ, rezultoi se në mes tyre 14 veta na qenkëshin armiq të popullit. U desh që të hidhej poshtë lista e vjetër dhe të caktoheshin gjyqtarë të rinj. Mehmet Shehu vuri në dukje më poshtë se “Tuk Jakova është tepër i mefshtë në punë, se po nuk i ndreqi gabimet e veta, atëherë ai nuk duhet të jetë sekretar i KQ. Në mbyllje të fjalës së tij, tha se “sikur Enver Hoxha të kishte qenë më i vendosur në mbledhjet e Byrosë Politike, atëherë ne do të kishim humbur më pak kohë në studimin e kësaj apo asaj çështjeje”. Bedri Spahiu e nuk e kritikon Tuk Jakovën, madje e merr në mbrojtje, duke kërkuar që gabimet e organeve kolegjiale mos të trajtohen si gabime të Tuk Jakovës. Bedri Spahiu vuri në dukje se Gogo Nushi pak e ka informuar Byronë Politike për punën e Bashkimeve Profesioanle, prandaj dhe nuk e ka pasur ndihmën e kësaj të fundit. Ai tha se Beqir Balluku duhej ta informonte Byronë Politike për Ushtrinë, për edukimin e saj, për gjendjen e brendëshme të vendit duhet të ketë më shumë informacion, në mënyrë që ta dimë si duhet forcuar situata në këtë ose atë rreth, kur armiku fillon të veprojë, ta dijmë si ta zhvillojmë luftën kundër armikut. Ai theksoi se në qoftë se Enver Hoxha do ta centralizonte aktivitetin e Këshillit të Ministrave dhe të Komitetit Qëndror të Partisë, atëherë puna do të ecte më mirë dhe gjithkush do t’i dijë detyrat që ka. Veç kësaj, ne duhet të përcaktojmë detyrat e secilit antar të Byrosë Politike lidhur me objektet më të rëndësishme të vendit tonë (kombinate, hidrocentrale). Bedri Spahiu nënvizoi se Sekretariati nuk e ka udhëhequr aparatin e Partisë, se Sekretariati duhet të punojë në mënyrë më operative, se planin duhet ta diskutojë Sekretariati dhe jo vetëm Tuk Jakova.
Comments
Post a Comment