Luke Syku: "Historia e vërtetë e personazhit të Tuç Makut"

Tokat që u ndanë mes fshatarëve te filmi ‘Toka Jonë’, nuk ishin të partisë. Megjithëqë fshatarëve të zonës iu gëzuan ëndrrat, ata e dinin fort mirë që nuk ishin të tyret. E njihnin edhe të zotin. Kjo është historia e vërtetë e Gjon Nik Sykut, personazhit mbi të cilin Kol Jakova ka shkruar dramën “Toka jonë” e që më pas u realizua edhe filmi me të njëjtin titull. Por historia e Gjonit nuk nis e mbaron me pasuritë. Kur regjimi komunist të hidhte rrënjë, ai dhe gjithë burrat e fisit të tij do të quheshin antikomunistë të betuar, duke nisur kështu persekutimet njëri pas tjetrit.
“Në një fshat në veri të Shqipërisë reforma agrare i kthen tokën Lokes dhe familjes së saj, të cilën ia kishte përvetësuar me intriga Tuç Maku, një pronar i madh tokash në atë zonë. Fillon konflikti midis dy familjeve. Tuç Maku hakmerret duke vrarë Murrashin, djalin e Lokes, i cili ishte një nga aplikuesit e reformës agrare. Mbas kësaj tragjedie, Lokja kthehet te fëmijët e saj, Leka dhe Filja”. Shkurtimisht, ky është përshkrimi që i bëhet filmit të famshëm, identifikuar më së shumti prej personazhit të tij Tuç Makut, “Toka Jonë”. Në fakt, për ata që kanë qenë vetëm shikues përtej ekranit, apo ata që tani e rishikojnë për nostalgji a për të qeshur me batutat e dikurshme, gjithçka duket se shkon mirë, se partia i shpërndante të mirat materiale të një familjeje në të mirë të të gjithëve. Nuk është krejt ashtu siç duket! Zengjinët e asaj kohe e dinë mirë! E kanë hequr mbi shpinë me gjithë të mirat që punuan për t’i pasur e që s’u bënë të tyret kurrë. Ende edhe sot, pasuritë e dikurshme të marra nga shteti nuk u janë rikthyer. “Megjithëse historia mbi të cilën ndërtohet filmi është bazuar te një personazh real, tiparet e karakterit janë të ndryshme, sepse Gjon Nik Syku nuk ishte i tillë. Në film tregohet personazh negativ, çka nuk lidhet me realitetin. Por siç mund të merret me mend nga koha kur është bërë filmi e romani, do duhet të ishte siç ‘urdhërohej’-tregon Lokja, bashkëshortja e Prel Sykut, nipit të personazhit të famshëm. Ende edhe sot, fisi i Sykajve vazhdon të jetojë në fshati Tale të Lezhës, aty ku ka jetuar gjithnjë, pavarësisht se nuk i trashëgoi asnjëherë pasuritë e ‘më të madhit’ të fisit, Gjonit. Asokohe, kur ata ishin në shënjestër nga pushteti, në fshatin e tyre shkoi të punonte KolJakova, autori i librit “Toka Jonë”, prej nga merr ngjarjet filmi. “Kola erdhi në fshatin tonë të punonte si mësues, dhe caktohej të jetonte nëpër shtëpitë e fshatit për kohë të ndryshme. Për një 3-mujor a më shumë, jetoi në shtëpinë tonë e më pas shkroi edhe librin”. Në fakt, shtëpia e tyre duket se ka qenë një stacion që ka shërbyer për shumë emra vendimtarë të historisë. Përveç Kolë Jakovës, edhe Abaz Kupi ka qëndruar te Sykajt në ditën e tij të fundit, përpara se të largohej nga vendi i tij. Duke qenë se shtëpia e tyre ishte buzë detit, i shërbeu atij si distanca më e afërt me detin, prej nga do të nisej ditën e nesërme. Pikërisht këtu, si bashkëpunues me antikomunistët, zë fill edhe historia e Sykajve, që nuk do të merrte fund për të gjitha vitet e komunizmit në vijim, për t’i bërë të vuajnë e të ndihen të persekutuar të gjithë ata që mbanin këtë mbiemër. Ndër të tjerë, ai që u dëgjua më shumë pas xhaxhait të tij, Gjonit, ishte Prel Syku, bashkëshorti i Lukes. Ai që ishte vetëm 12 vjeç kur Abaz Kupi shkeli shtëpinë e tyre, as që dinte ç’ishin puçet ndaj pushtetit, antikomunizmi, e megjithatë jetoi gjysmën e jetës së tij të re përtej telave me gjemba.
Prejardhja e Tuç Makut te filmi “Toka Jonë”
Fisi i Sykajve (Syku) është një ndër familjet më të mëdha të Bregut të Matit, të ardhur nga Shkreli i Malësisë së Madhe nga fundi i shek. XVIII. Nëpërmjet punës ata arritën të krijonin pasuri të madhe, të përbërë kryesisht nga mijëra krerë bagëtish dhe disa qindra hektarë tokë, duke u radhitur kështu ndër fiset më të pasura dhe të zëshme të veriut. I pari i

këtij fisi, Gjon Nik Syku (1872-1950), të cilin banorët e zonës por edhe gjithë familjarët e tij e mbanin si njeri të zgjuar, të urtë (ishte ai që në familjet e mëdha mbahej si i pari i fisit), kishte miqësi me familjet më të mëdha të asaj kohe, si dhe me njerëz të shquar si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Prek Cali, Zef Koka, Shuk Sarreqi, Ded Gjo Luli etj. Me ardhjen e regjimit komunist në Shqipëri, nisi edhe perëndimi i periudhës së begatë të kësaj familjeje, pasi regjimi u konfiskoi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre. Konfiskimi i qindra hektarëve tokë që iu bë fisit të Sykajve, u bë edhe frymëzim për shkrimtarin Kol Jakova që të shkruante veprën e tij “Toka Jonë”. Kjo vepër më vonë u realizua edhe film, ku personazhi i Tuç Makut personifikonte Gjon Nik Sykun. Konfiskimet e mëdha që iu bënë Sykajve, erdhën edhe për shkak të damkosjen së këtij fisi si fis “kulakësh”, për të vijuar më pas me persekutime dhe burgosje që do t’i shoqëronin deri në kapitullimin e regjimit komunist. Njëri nga djemtë e spikatur të kësaj familjeje, ishte Prel Syku, i cili ishte i pari që u shënjestrua nga regjimi që në rini si antikomunist. Prel Syku, në moshën 20-vjeçare arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg nën akuzën “pjesëmarrje në organizata antikomuniste”, nga të cilat vuajti 12 vjet burg. Pas disa vitesh në liri martohet me Luken, të bijën e Gjek Nilit, familja e së cilës gjithashtu ishte kulake. Martesa e Prelës me Luken (në atë kohë 18-vjeçare) ishte përforcimi i një marrëdhënieje të mirë e të hershme të dy familjeve, Syku dhe Nili. Pas martesës linden dy vajza: Marjana (1969) dhe Vjollca (1973) dhe dy djem: Sokoli (1975) dhe Arbeni (1977). Pas lindjes së djalit të vogel, Prela në mënyrë të vazhdueshme po mbikëqyrej nga Sigurimi i Shtetit. Ndërkohe nipi (djali i xhaxhait) dhe tre kushërinj të tjerë ishin arrestuar tashmë. Prandaj, Prela e nuhaste se arrestimi i radhës do të kishte qenë arrestimi i tij, pasi ai ishte një antikomunist i bindur dhe një i ri i kalitur në burgjet e regjimit komunist. Në prill të 1977-s, Prela thirret për të kryer zborin në Tropojë, e drejtë e cila i ishte hequr me ligj si një ish-i dënuar politik. Pas kësaj thirrjeje, Prela mbledh vëllain (Ndocin), nusen e vet dhe kunatën për t’u treguar se cilat rreziqe i prisnin.
Fati i parashkruar i familjes
“Kur Prela na mblodhi atë ditë në dhomë, na tha se priste që, me të arritur në Tropojë do ta arrestonin. Prela gjithashtu na tha se nëse nuk do të arrestohej, do të dërgonte një telegram në emër të vëllait (Ndocit). ‘Por nëse merrni ndonjë telegram, i cili nuk vjen në emër të vëllait, duhet ta kuptoni se më kanë arrestuar.’ Pas 2-3 ditësh që Prela ikën në Tropojë, në shtëpi mbërrin një telegram, i cili më drejtohej mua e ku shkruhej ‘Jam shëndoshë e mirë, duke kryer zborin. Të fala, Prela’. Ky ishte edhe mesazhi konfirmues për mua që burri im ishte arrestuar”. Lukja ishte vetëm 28 vjeç, me katër fëmijë, kur shihte përditë nga duart e postierit të fshatit për të marrë vesh të keqen që po i afrohejsituatat ishte kur kisha shkuar ta takoja bashkë me djalin e madh, Sokolin, i cili kishte një vit pa e parë. Sokoli, me të parë babain, i thotë: “Që kur u largove, i lutem Zotit çdo natë që të ma sjellë babain në shtëpi… dhe ja ku ma solli”. Djali i vogël as që e përfytyronte se takimi me të atin nuk do të zgjaste më shumë se dy orë e që ndarja e dytë do të ishte edhe më e dhimbshme se e para. Parafytyronte sikur ëndrra e tij u realizua njëherë e përgjithmonë. Se ishin transferuar tashmë të gjithë në burg e do jetonin tok. Ndërsa kur i biri të largohej, ëndrrat do t’i takonin të atit. Pro jo për rikthimin në shtëpi, sepse ai e dinte fatin e vetes, por për gjithë fjalët që i çonin fëmijët, e që e linin pa gjumë. Sepse situata si këto ishin nga më të ndryshmet. Vetë Prela ua kujton edhe tani që kanë kaluar kaq shumë vite. “Në një tjetër rast isha me djalin e vogël, Benin, pasi Prela më kishte kërkuar t’ia çoja në takim, duke qenë se pothuajse nuk e njihte, e kishte lënë vetëm 6-muajsh, kur ndërkohë kishin kaluar 3 vjet. Duke qenë se nuk njiheshin, për të krijuar afrimitet me të birin, mendon t’i thotë diçka që ta gëzojë: “Sa të bukura t’i paskan blerë këto sandalet!”, ndërsa i biri i përgjigjet: “Jo babi, sandalet nuk janë të miat, ia kam marrë borxh një shoku të lagjes sa për të takuar ty”. Përveç këtyre situatave dramatike që krijoheshin shpesh, mbi mua rëndonin edhe punët e lodhshme fizike që më caktoheshin në kooperativën ku punoja, si pasojë e të qenët bashkëshortja e Prelës, këtij njeriu që shoqëria e etiketonte si armiku i popullit. Me gjithë vështirësitë dhe vuajtjet e periudhës së burgimit të tim shoqi, erdhi edhe momenti i shumëpritur i lirimit të tij në gushtin e 1987. Pas burgut, Zoti na dhuroi edhe dy djem binjakë. Menjëherë erdhi edhe fundi i regjimit komunist bashkë me fundin e persekutimeve tona”.
Lukja nxiton të mbërrijë në ditët e saj kur jeta ka qenë e vërtetë, megjithëse rinia i kishte kaluar me kohë. Është gati t’i harrojë edhe ato punët që e detyronin të bënte në sektorin e burrave nëpër kanale, atë rrogën e koperativës me të cilën nuk mund të ngopte asnjërin prej fëmijëve e jo më katër, vetëm e vetëm të mbërrijë te ditët me diell. Kur nuk ishte më e detyruar të punonte në shi e në erë, kur me gjithë hallet që i kishin rënë duhet të vraponte sa nga njëri spital në tjetrin për sëmundjen e së bijës, por t’i gëzohej gjashtë fëmijëve të saj të shëndoshë e bashkëshortit që po e njihte gati nga e para.

Comments

Popular posts from this blog

"I dogji rrobat Almës dhe fshiu të gjitha bisedat"/ Gazetarja zbulon detaje nga tragjedia në Shkodër: Erdgysi i dërgoi një mesazh kunatës...

Historia e panjohur dhe tragjike e vrasjes me tank të dy shokëve nga Shkodra në 1983

E trishtë, ndërron jetë në aksident Ildi Pajtoni