Historia/ Ish-i burgosuri politik që jeton poshtë urës në kasolle
Mes mbeturinash, poshtë urës së Drinit jeton ish-i dënuari politik, Ndue Murçaj nga fshati Gryk-Lumi i Lezhës. I braktisur nga familjarët por dhe shoqëria, 66-vjeçari vuan nga disa sëmundje. Ndue Murcaj nuk ka përfituar dëmshpërblim për vitet e burgut edhe pse mban statusin “i burgosur politik”, lëshuar nga Instituti i Ish-të Përndjekurve Politike. Në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Murçaj është arrestuar në 1977 dhe dënuar në ’78 nga Gjykata e Shkodrës me 25 vite burgim për tre akuza “terror mbetur në tentativë” “strehim diversantësh” dhe “vrasje e mbetur në tentativë”. Ai ka kryer 14 vite burgim dhe është liruar në vitin 1991.“Jam hallexhi, fukara. Kam bërë 14 vite burg. Kam 3 muaj e gjysmë që jetoj nën urë. Edhe një batanije ma kanë fal. Edhe ushqim dal e lyp ccfarë më japin. Jam i sëmurë, edhe nga ana mendore nuk jam fort mirë. Kërkoj ndihmë prej shtetit të më japin paratë e burgut që më takojnë dhe të më japin pensionin, se kam 6 muaj që kam mbushur moshën”, thotë 66-vjeçari.
Zyrtarë të Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë thanë se “çdo person i dënuar në komunizëm për terror është përjashtuar nga Ligji i Dëmshpërblimit pavarësisht se mban statusin “I burgosur politik”.
Edhe pse ka mbushur moshën, nuk ka përfituar as pensionin e pleqërisë. Pas sinjalizimit nga mediat Shërbimi Social në Bashkinë Lezhë është vënë menjehërë në lëvizje, por pa arritur ende që të gjeje zgjidhje.
Comments
Post a Comment